18
Mjerë ai vend me krahë të zhurmshëm që ndodhet matanë lumenjve të Etiopisë, që dërgon lajmëtarë me anë të detit në anijeza prej papirusi mbi ujërat, duke thënë: “Shkoni, o lajmëtarë të shpejtë, në drejtim të një kombi shtatlartë dhe lëkurëndritur, në drejtim të një populli të cilin e kanë frikë që nga fillimi i tij e më pas, komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit ndahet nga lumenjtë”. Ju të gjithë, banorë të botës dhe ata që banojnë mbi tokë shikoni flamurin kur ky do të ngrihet mbi malet dhe dëgjoni borinë kur ajo do të bjerë! Sepse kështu më ka thënë Zoti: “Do të rri i qetë dhe do të shikoj nga banesa ime si një nxehtësi e kthjellet dhe e ndritshme në dritën e diellit, si një re vesë në vapën e korrjes”. Sepse para korrjes, kur lulëzimi ka marrë fund dhe lulja është bërë një vile në fazën e pjekurisë, ai do t’i presë degëzat me kmesë dhe do të shkulë e do t’i presë shermendët. Ata të gjithë tok do të mbeten të braktisur shpendëve grabitqarë të maleve dhe kafshëve të tokës; zogjtë grabitqarë do të kalojnë mbi ta gjatë verës dhe kafshët e tokës do të kalojnë mbi ta gjatë dimrit. Në këtë kohë do t’i sjellë oferta Zotit të ushtrive një komb shtatlartë dhe lëkurëndritur, një popull që e kanë frikë që nga fillimet e tij e më pas, një komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit përshkohet nga lumenj; do të çohen në vendin ku ndodhet emri i Zotit të ushtrive, në malin Sion.