Predikuesi
1
1 Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit. 2 “Kotësi e kotësive”, thotë Predikuesi; 3 “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi”. Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit? 4 Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë. 5 Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri. 6 Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime. 7 Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri. 8 Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar. 9 Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell. 10 A ka diçka për të cilën mund të thuhet: “Shiko, kjo është e re!”. Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur. 11 Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas. 12 Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem, 13 dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen. 14 Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën. 15 Ajo që është e shtrëmbër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet. 16 Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: “Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri”. 17 Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën. 18 Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen.